Azia: përpjekje drastike kundër SARS-it

Në Hong-Kong ka filluar një fushatë e gjerë publicitare kundër SARS-it

Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës SARS, në vendet e Azisë Lindore po merren masa drastike.

Në kryeqytetin kinez, Pekin autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e të gjithë teatrove dhe kinemave deri sa sëmundja të vihet nën kontroll.

Ministri i ri kinez i Shëndetësisë ka njoftuar se edhe në rajonet ku janë raportuar pak ose asnjë rast i infektuar, do të dërgohen inspektorë për t'u siguruar se shifrat e dhëna janë të sakta.

Minsitri i Shëndetësisë njoftoi të dielën për 160 raste të reja të infektuara me SARS dhe për 9 vdekje të reja në vend.

Ndërkohë, autoritetet në Singapor thonë se do të mbyllin disa tregje ushqimore të hënën për t'i dizinfektuar.

Tajvani ka njoftuar për rastin e parë të vdekjes nga SARS-i. Autoritetet kanë vendosur karantinë dhjetë ditore të detyrueshme për të gjithë ata që kanë viziituar zonat e infektuara.

Në një masë tjetër, autoritetet tajvaneze kanë pezulluar dhënien e vizave për banorë të Kinës, Hong-Kongut, Singaporit dhe Kanadasë.